Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Kërçova ndodhet në pjesën perëndimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e vendosur në Luginën e Kërçovës, e cila është një entitet natyrorë me formë të qartë, i rrethuar nga të gjitha anët me male të larta. I përket pellgut të sipërm ujëmbledhës të lumit Treska, në anën veriore prek qafën e Strazhës, në anën perëndimore ngrihet mali Bistra, në anën jugore shtrihet përgjatë luginës së lumit Treska deri në malin Ilin, dhe nga ana lindore prek pjesën jugore të zonës së Poreçes . Qyteti i Kërçovës, si qendër urbane, gjendet në lartësinë 625-650 metra. Pjesa tjetër e vendbanimeve ndodhen në lartësinë 600 deri në mbi 1000 metra.

Kërçova është 110 kilometra larg Shkupit dhe gjendet pothuajse në gjysmë të rrugës mes Gostivarit (46 kilometra) dhe Ohrit (61 kilometra). Qyteti i Kërçovës me vendndodhjen e tij është një nga qendrat më të rëndësishme të trafikut dhe tranzitit në Maqedoninë Perëndimore.

Sa i përket sipërfaqes, deri në vitin 2013 Komuna e Kërçovës mbulonte pjesën më të vogël në krahasim me komunat tjera, gjegjësisht 49 km2, që përfaqëson 5.9% të sipërfaqes së përgjithshme në Luginën e Kërçovës dhe zonat tjera që gravitojnë rreth Kërçovës. Sipas numrit të banorëve, Kërçova ishte komuna më e madhe, me 52,5% të numrit të përgjithshëm të banorëve në rajon, deri në vitin 2013 kur komunës së Kërçovës iu bashkuan komunat Dërgovë, Vraneshtica, Zajaz dhe Osllome.

Rajoni Jugperëndimor i Planifikimit

Rajoni Jugperëndimor i Planifikimit është një nga tetë brenda Republikës së Maqedonisë dhe përfshin 9 komuna: Vevçani, Dibra, Debrca, Ohri, Kërçova, Makedonski Brod, Plasnica, Struga dhe Centar Zupa.

Relievi i rajonit të planifikimit Jugperëndimor është malor dhe luginor. Mbizotërojnë malet e larta lartësia e të cilave tejkalon 2000 m. Më e madhja në rajon është lugina Ohër-Strugë e vendosur midis maleve Jablanica dhe Galicica, në një pjesë të mbushur me Liqenin e Ohrit. Rajoni karakterizohet nga përfaqësimi i jashtëzakonshëm i shpellave duke pasur parasysh përbërjen gëlqerore të maleve. Ka shumë liqene natyrore, artificiale dhe akullnajore dhe është një nga më të pyllëzuarit në Republikën e Maqedonisë.

Back to top