Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Kryetari i komunës është organ ekzekutiv dhe Përfaqësues i komunës.

Kompetencat e Kryetarit të Komunës

(1) Kryetari i komunës:

  1. Përfaqëson dhe prezanton komunën
  2. Kontrollon ligjshmërinë e rregulloreve të këshillit
  3. Publikon rregulloreт e këshillit në fletoren zyrtare të komunës
  4. Siguron ekzekutimin e vendimeve të këshillit
  5. Siguron kryerjen e punëve që i janë deleguar komunës me ligj
  6. Inicon dhe propozon miratimin e rregulloreve në kompetencë të këshillit
  7. Propozon buxhetin vjetor dhe llogarinë vjetore të komunës
  8. Ekzekuton buxhetin e komunës
  9. Zgjedh drejtorët e shërbimeve publike të krijuar nga komuna, në bazë të konkursit publik
  10. Informon rregullisht këshillin për kryerjen e përgjegjësive të tij në përputhje me statutin.
  11. Vendos për çështje administrative për të drejtat, detyrimet dhe interesat e personave juridikë dhe fizikë, në përputhje me ligjin.
  12. Miraton rregullore për sistemimin e vendeve të punës në administratën komunale
  13. Udhëheq me administratën komunale
  14. Vendos për punësimin, të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e punëtorëve në administratën komunale, nëse me ligj nuk është përcaktuar ndryshe.
  15. Siguron përdorim korrekt dhe të ligjshëm, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e pronës së komunës, në përputhje me ligjin dhe statutin dhe
  16. Kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me ligj dhe statut

(2) Kryetari mund të autorizojë zyrtarin udhëheqës të komunës për udhëheqjen e procedurës dhe vendosjen për çështje administrative, si dhe nënshkrimin e akteve

Zgjedhja e kryetarit të komunës

Kryetari zgjidhet çdo të katërtin vit, me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të lira me votim të fshehtë, në përputhje me ligjin që rregullon zgjedhjet lokale.

Kontrolli i ligjshmërisë së rregulloreve përpara publikimit të tyre

(1) Nëse kryetari i komunës konsideron se rregullorja e këshillit nuk është në përputhje  me Kushtetutën dhe ligjet, është i obliguar që në afat prej shtatë ditësh nga dita e dorëzimit me aktvendim që ta ndërpresë publikimin e tij, me të cilin do t’i sqarojë arsyet për ndalimin.
(2) Këshilli është i obliguar që në afat prej 15 ditësh nga dita e publikimit të aktvendimit nga paragrafi 1 i këtij neni ta shqyrtojë aktvendimin dhe të vendosë sipas tij.
(3) Nëse këshilli e konfirmon rregulloren, kryetari i komunës është i obliguar ta publikojë atë dhe njëkohësisht të paraqesë iniciativë për fillimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së rregullores kontestuese para Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
(4) Për iniciativën nga paragrafi (3) i këtij neni, Kryetari i komunës është i obliguar që ta njoftojë ministrinë përgjegjëse për kryerjen e punëve që kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale.

Ekzekutimi i funksionit Kryetar Komune

(1) Kryetari i sapozgjedhur i komunës i merr detyrat e kryetarit të mëparshëm brenda shtatë ditëve nga dita e zgjedhjes.
(2) Kryetari e kryen funksionin e tij profesionalisht.
(3) Kryetari gjatë ushtrimit të detyrës nuk mund të kryejë punë të tjera profesionale.
(4) Kryetari nuk mund të thirret në përgjegjësi penale ose të paraburgoset për shprehjen e mendimit në këshill.
(5) Kryetari i komunës cakton se cili nga anëtarët e këshillit do ta zëvendësojë në rast të pamundësisë ose mungesës, sipas procedurës së përcaktuar me statut.
(6) Pozita e anëtarit të këshillit pezullohet për kohën kur e zëvendëson kryetari i komunës.
(7) Paga dhe kompenzimet e kryetarit të komunës, si dhe kompenzimet e anëtarit të këshillit që zëvendëson kryetarin e komunës, rregullohen me ligj.

Konflikt i interesave të Kryetarit të Komunës

(1) Kryetari i komunës nuk mund të emërohet anëtar i organeve mbikëqyrëse, administrative dhe kontrolluese të shoqërive tregtare dhe shërbimeve publike.
(2) Kryetari i komunës nuk mund të marrë pjesë në vendimmarrje për çështje në të cilat ai ose bashkëshorti/ja, fëmijët ose i afërmi i tij deri në shkallën e dytë ka interes financiar ose tjetër personal.
(3) Kryetari i komunës është i obliguar që për interesin nga paragrafi (2) të këtij neni ta njoftojë këshillin.
(4) Në rastet nga paragrafi (2) i këtij neni, vendos njëri nga anëtarët e këshillit i zgjedhur në mënyrën në të cilën është zgjedhur kryetari i këshillit.

Ndërprerja e mandatit të Kryetarit të Komunës

(1) Kryetarit të komunës i përfundon mandati me fuqi të ligjit:

  • nëse jep dorëheqjen;
  • në rast vdekjeje;
  • nëse me aktgjykim të formës së prerë për vepër penale është dënuar me burg më shumë se gjashtë muaj;
  • nëse me vendim të formës së prerë i hiqet aftësia për të vepruar;
  • nëse ekziston rasti i papajtueshmërisë për kryerjen e funksionit në pajtim me Ligjin për zgjedhjet lokale;
  • në rast të mungesës të pajustifikuar për më shumë se gjashtë muaj dhe nëse pushon së qenurit banorë i komunës.

(2) Për arsyetimin e mungesës nga paragrafi (1) alineja (6) të këtij neni vendos këshilli, me dy të tretat shumicë nga numri i përgjithshëm i antarëve të këshillit.

(3) Anëtari i këshillit i cili e zëvendëson kryetarin e komunës në afat prej 15 ditësh nga dita e paraqitjes së një prej rasteve nga paragrafi (1) i këtij neni, është i obliguar ta njoftojë ministrinë përgjegjëse për çështjet që janë në kompetencë të vetëqeverisjes lokale.

(4) Ministria kompetente për kryerjen e punëve në lidhje me vetëqeverisjen lokale, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të njoftimit nga paragrafi (3) i këtij neni, e njofton Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila në afat prej 1muaji nga dita e pranimit të njoftimit, konstaton se ka ndodhur një nga rastet nga paragrafi (1) i këtij neni dhe njëkohësisht fillon procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të reja për kryetar komune, në pajtim me ligjin.

(5) Këshilli në afat prej 30 ditësh nga dita e shpalljes së vendimit të Qeverisë nga paragrafi (4) i këtij neni, detyrën e kryetarit të komunës do ta kryejë gjatë periudhës deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, në mënyrën në të cilën zgjidhet kryetari i këshillit .

(6) Anëtarit të këshillit i pushon funksioni anëtarë i këshillit për kohën që ushtron  detyrën kryetar komune në pajtim me paragrafin 6 të këtij neni.

(7) Zgjedhjet nga paragrafi 4 i këtij neni nuk do të mbahen nëse deri në periudhën e tyre zgjedhore kanë mbetur më pak se gjashtë muaj.

Aktet e Kryetarit të Komunës

Për zgjidhjen e të drejtave, detyrimeve dhe interesave individuale të personave fizikë dhe juridikë, kryetari i komunës sjellë aktvendime.

Back to top