U mbajt mbledhja e Shtabit Rajonal të QMK-së Kërçovë
Sot, në ambientet e Komunës së Kërçovës, me fillim në ora 12:00, u mbajt mbledhja e Shtabit Rajonal të QMK-së Kërçovë.
Në mbledhje u shqyrtuan dy pika kyçe të rendit të ditës. Në kuadër të pikës së parë u bë një pasqyrë e gjendjeve të vitit të kaluar në lidhje me zjarret pyjore dhe zjarret në hapësira të hapura. Anëtarët e pranishëm diskutuan për shkaqet, përmasat dhe pasojat e zjarreve të ndodhura, si dhe për koordinimin ndërmjet institucioneve kompetente gjatë përballjes me to.
Në pikën e dytë të rendit të ditës u shqyrtuan masat dhe aktivitetet parandaluese për periudhën në vijim. U theksua nevoja për përgatitje me kohë, bashkëpunim të fuqizuar ndërinstitucional, si dhe ngritjen e vetëdijes publike për parandalimin e zjarreve. Gjithashtu, u propozuan aktivitete konkrete për përmirësimin e gatishmërisë në terren dhe efikasitetit të intervenimeve.
Mbledhja përfundoi me përfundimin se parandalimi dhe koordinimi mbeten faktorë kyç për zvogëlimin e rreziqeve nga zjarret dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe pronës së qytetarëve.