Vendim për zgjedhjen e zgjidhjes ideore arkitektonike për rindërtimin, zgjerimin dhe dizajnin urban të sheshit ekzistues në Kërçovë
Komisioni për zgjedhjen e zgjidhjes ideore konstaton se Konkursi për zgjedhjen e zgjidhjes ideore arkitektonike për rindërtimin, zgjerimin dhe dizajnin urban të sheshit ekzistues në Kërçovë është zbatuar me sukses dhe, në përputhje me vlerësimin dhe renditjen e punimeve të dorëzuara, komisioni mori vendimin përfundimtar për shpërndarjen e shpërblimeve, si vijon:
I renditur i pari është punimi konkurrues me shifër „TRIAD” me ÇMIMIN E PARË të caktuar në vlerë prej 100.000,00 denarë,
I renditur i dytë është punimi konkurrues me shifër „A1B2C” me ÇMIMIN E DYTË të caktuar në vlerë prej 50.000,00 denarë,
I renditur i tretë është punimi konkurrues me shifër „ZA111″ me ÇMIMIN E TRETË të caktuar në vlerë prej 30.000,00 denarë.
VËSHTRIM I SHKURTËR MBI PUNIMET E SHPËRBLYERA
Punimi konkurrues me shifrën “TRIAD”, në krahasim me veprat e tjera të shpërblyera, u dallua me qasje krijuese dhe autentike ndaj dizajnit, e cila arrin të balancojë funksionalitetin, estetikën dhe lidhjen me hapësirën përreth. Ky punim tregon një zgjidhje shumë cilësore dhe të qartë të funksioneve të dhëna brenda kushteve të planit urbanistik. Zgjidhja nuk është vetëm harmonike nga pikëpamja arkitektonike, por edhe thellë e menduar, duke marrë parasysh rolin e sheshit si “zemër” e qytetit dhe potencialin e tij për t’u bërë qendër autentike dhe e gjallë e jetës së përditshme në komunitet.
Komisioni për zgjedhjen e zgjidhjes konceptuale e njohu cilësinë e kësaj zgjidhjeje përmes aftësisë së saj për të krijuar një hapësirë që është shumë më tepër se një shesh funksional. Nëpërmjet formave të hartuara me kujdes, qasjes gjithëpërfshirëse dhe materializimit të pasur, dizajni krijon një ambient dinamik dhe sensual që fton në ndërveprim dhe qëndrim. Hapësira perceptohet si një “dhomë urbane” — vend ku bashkëjetojnë funksione të ndryshme, dhe duke marrë parasysh shtresëzimin e hapësirës, ajo ofron mundësi dhe lloje të shumta përdorimi, nga aktivitetet tregtare të përditshme deri te tubimet sociale dhe ngjarjet kulturore. Pa dominimin e ideve pretencioze apo banale, zgjidhja lidh me kujdes lidhjet kryesore hapësinore dhe krijon një hapësirë harmonike që rrezaton qetësi, ngrohtësi dhe vitalitet. Në këtë kontekst, projekti paraqet një ndërhyrje urbanistike-arkitektonike në bërthamën qendrore të qytetit, e orientuar drejt integrimit dhe zhvillimit të hapësirës publike nëpërmjet lidhjes së tre segmenteve — shesheve “Çlirimi”, “Bashkimi” dhe “Vetënjohja” — në një sistem të vetëm hapësinor.
Koncepti i sheshit “Çlirimi” në Kërçovë bazohet në idenë e rrjedhjes hapësinore dhe peizazhistike të gjelbërimit nga lokaliteti Kitino Kale drejt zonës qendrore të qytetit, nëpërmjet “zbritjes” graduale të tij dhe integrimit me gjelbërimin ekzistues. Kjo qasje plotësohet me futjen e shtresave të reja programore, përcaktimi dhe aktivizimi i fundit i të cilave u lihet vetë përdoruesve, duke mundësuar një hapësirë publike dinamike dhe adaptibile.
Koncepti i sheshit “Bashkimi” në Kërçovë bazohet në bashkimin dhe lidhjen e dy objekteve të rëndësishme fetare në një shesh dhe një zonë këmbësorësh, duke e bërë kështu këtë shesh shesh të dy feve. Kjo ndërhyrje e afirmon qytetin si qytet multietnik, në të cilin diversiteti nuk është vetëm i pranishëm, por thellë i rrënjosur në jetën e tij të përditshme. Struktura e tij multietnike nuk perceptohet si ndarje, por si pasuri — si identitet i shtresëzuar i ndërtuar nëpër kohë, dhe me këtë ndërhyrje do të bashkohet edhe hapësinore. Në kontekst të karakterit multietnik të Kërçovës, integrimi i hapësirave fetare brenda një hapësire të përbashkët publike paraqet një ndërhyrje të fuqishme urbane dhe simbolike.
Koncepti i sheshit “Vetënjohja” në Kërçovë, i vendosur në veri të Shtëpisë së Kulturës, është përcaktuar si shesh i kulturës — hapësirë ku përdoruesi njeh vetveten, kolektiven si dhe hapësirën urbane. Sheshi artikulohet si ambient perceptimi dhe përjetimi, ku arkitektura nuk reduktohet vetëm në kompozicion formal, por funksionon si medium nëpërmjet të cilit reflektohet dhe interpretohet jeta kulturore e komunitetit. Nëpërmjet hapjes dhe fleksibilitetit programor, sheshi pozicionohet si platformë për përjetim, ku hapësira dhe ngjarja bashkohen në një proces të vetëm njohje.
Secili nga sheshet ka rol specifik në këtë tërësi: “Çlirimi” artikulohet si hapësirë e re urbane reprezentative, “Bashkimi” si bërthamë ekzistuese që plotësohet dhe integrohet në një sekuencë lineare, ndërsa “Vetënjohja” zhvillohet si platformë kulturore me amfiteater veror, i cili mundëson ngjarje të larmishme publike dhe kulturore. Rregullimi i parterit trajtohet si element kyç në formësimin e identitetit të përgjithshëm hapësinor dhe lidhshmërisë funksionale të ndërhyrjes. Nëpërmjet zgjedhjes dhe kombinimit të kujdesshëm të materialeve, vendoset një kontinuitet i qartë, por delikat midis segmenteve të ndryshme hapësinore.
Ndërhyrja respekton kontekstin historik dhe urban ekzistues, veçanërisht në zonën e çarshisë, ndërsa nëpërmjet rritjes së sipërfaqeve të gjelbra përmirësohen cilësitë ekologjike dhe ambientale. Kjo krijon një hapësirë publike të vazhdueshme, fleksibile dhe gjithëpërfshirëse, e cila nxit ndërveprimet sociale dhe jetën kulturore.
Si përfundim, kjo zgjidhje konceptuale paraqet një vepër arkitektonike me cilësi jashtëzakonisht të lartë, e cila arrin me sukses të balancojë funksionalitetin, estetikën dhe qëndrueshmërinë.
Punimi konkurrues me shifrën “A1B2C”, si punimit i shpërblyer me çmimin e dytë, dallohet për qasjen e tij komplekse ndaj të gjitha kritereve të dhëna të detyrës konkurruese, duke realizuar një kompozicion hapësinor me cilësi të lartë, i cili karakterizohet me integritet arkitektonik të strukturave të planifikuara, lidhshmërinë e tyre, konceptim të ngjashëm, materializim dhe rregullim të parterit. Vepra karakterizohet me qasje të ndjeshme ndaj lokacionit dhe ide qartë të artikuluar, e cila nëpërmjet analizës mirë të realizuar shpjegon zgjidhjen e propozuar.
Duke marrë parasysh fuqinë e propozimit konceptual, prezantimin grafik, shpjegimin e detajuar grafik dhe tekstual, anëtarët e jurisë njohin shkallë të lartë cilësie në punën e prezantuar.
Punimi konkurrues me shifrën “ZA111” tërheq vëmendjen me zgjidhjen e tij invenktive të trafikut. Punimi paraqet një zgjidhje të thjeshtë që është e mirë për mjedisin dhe përshtatet me hapësirën, por i mungon përmbajtja e cila do t’i tërhiqte përdoruesit. Nuk ndihet qëllimi i hapësirës, përveçse si zonë tranzite. Punimi parasheh përmbajtjet e nevojshme në hapësirë, por dizajni i tyre, si dhe rregullimi hapësinor, nuk tregojnë cilësinë e nevojshme. Koncepti është i thjeshtë, por jo mjaftueshëm mbresëlënës. Analiza e mirë e hapësirës dhe zonifikimi janë cilësia parësore e kësaj zgjidhjeje, por mungon elaborimi për formimin e elementeve zonale. Megjithëse ekzistojnë sfida të caktuara strukturore, zgjidhja tregon potencial për zhvillim të mëtejshëm.
PËRFUNDIM
Komisioni për zgjedhjen e zgjidhjes konceptuale konstaton se Konkursi për zgjedhjen e zgjidhjes konceptuale arkitektonike për rindërtimin, zgjerimin dhe dizajnin urban të sheshit ekzistues në Kërçovë është realizuar me sukses, dhe u shpreh mirënjohje të gjithë pjesëmarrësve për punën dhe angazhimin e investuar në punimet e dorëzuara. Pas vlerësimit të punimeve, anëtarët e jurisë vendosën njëzëri t’i japin çmimin e parë punimit të shënuar me shifrën “TRIAD”, çmimin e dytë punimit të shënuar me shifrën “A1B2C” dhe çmimin e tretë punimit të shënuar me shifrën “ZA111”. Anëtarët e Komisionit për zgjedhjen e zgjidhjes konceptuale konsiderojnë se punimi i renditur i pari paraqet përgjigjen më të mirë ndaj kërkesave të detyrës konkurruese.
Komisioni për zgjedhjen e zgjidhjes konceptuale
Riste Lazarovski, Kryetar
Fisnik Fejza, anëtar
Irena Veljanoska, anëtare
Aleksandra Anakjioska, anëtare
Bekim Mustafaj, anëtar