Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Në Komunën e Kërçovës u mbajt Forumi i Komuniteteve Joshumicë: “Dialogu kulturor si motor i zhvillimit lokal”

Në sallën e Këshillit të Komunës së Kërçovës u mbajt një forum i rëndësishëm ndërkulturor, kushtuar diversitetit kulturor, respektit të ndërsjellë, dialogut dhe ndërtimit të përbashkët të një shoqërie më gjithëpërfshirëse.

Ngjarja u organizua në bashkëpunim me Forumin e Komuniteteve Joshumicë në Republika e Maqedonisë , ndërsa Komuna e Kërçovës ishte nikoqire dhe mbështetëse e kësaj iniciative, e cila theksoi rëndësinë e dialogut kulturor si bazë për zhvillim lokal, kohezion shoqëror dhe bashkëjetesë harmonike.

Në forum mori pjesë Kryetari i Komunës së Kërçovës, dr. Aleksandar Jovanovski, në cilësinë e nikoqirit dhe përkrahësit të ngjarjes, i cili në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e Kërçovës si qytet me trashëgimi të pasur multikulturore, qytet në të cilin dallimet përfaqësojnë vlerë, forcë dhe urë bashkimi.

Me praninë dhe fjalimet e tyre, ngjarjen e nderuan edhe ish-Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, z. Emil Dimitriev, Zëvendësministri i Administratës Publike, z. Laze Jakimoski, Koordinatori Nacional për Bashkëpunim Ndëretnik dhe Ndërresor, z. Salko Kuç, si dhe përfaqësues të shumtë të komuniteteve joshumicë, mysafirë, përfaqësues të institucioneve, organizatave qytetare dhe mediave.

Ngjarjen e udhëhoqi Natasha Stançiq, ndërsa koordinatore e Forumit të Komuniteteve Joshumicë ishte Bratisllava Tanaskoviq, e cila theksoi misionin e Forumit në drejtim të promovimit të të drejtave, interesave, kulturës dhe pjesëmarrjes aktive të komuniteteve joshumicë në rrjedhat shoqërore.

Vëmendje e veçantë në forum iu kushtua të rinjve nga komunitete të ndryshme, të cilët përmes sukseseve, angazhimit dhe shembullit të tyre personal kontribuojnë në afirmimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, respektit dhe bashkëpunimit. Në këtë drejtim, gjatë ngjarjes u ndanë certifikata dhe mirënjohje nga Kryetari i Komunës, dr. Aleksandar Jovanovski, si shenjë simbolike mirënjohjeje për punën, përkushtimin dhe kontributin në promovimin e zërit të komunitetit lokal dhe të diversitetit kulturor.

Forumi u organizua në frymën e shënimit të 21 Majit – Ditës Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, të shpallur nga Kombet e Bashkuara, me qëllim nxitjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e dallimeve kulturore, dialogut dhe respektit të ndërsjellë si vlera themelore të çdo shoqërie moderne demokratike.

Kërçova, si qytet i njohur për bashkëjetesën, diversitetin kulturor dhe traditën e mirëkuptimit të ndërsjellë, edhe një herë dëshmoi se dallimet nuk na ndajnë, por na afrojnë dhe na bëjnë një komunitet më të fortë.

Komuna e Kërçovës edhe në të ardhmen mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që avancojnë kulturën, dialogun, barazinë, bashkëpunimin ndëretnik dhe pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve në zhvillimin lokal.

Me respekt për çdo kulturë, me mirëkuptim për çdo dallim dhe me vizion të përbashkët për një të ardhme më të mirë — Kërçova vazhdon të ndërtojë ura bashkëpunimi, besimi dhe bashkimi.

Back to top