Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Komuna e Kërçovës vazhdon në mënyrë të pandërprerë me pastrimin e shtratit të lumit pas përmbytjeve

Në interes të sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve, Komuna e Kërçovës po vazhdon pa ndërprerje dhe me intensitet të shtuar aktivitetet për pastrimin dhe rregullimin e shtratit të lumit pas përmbytjeve të fundit që përfshinë pjesë të qytetit dhe vendbanimet përreth.

Me angazhimin e mekanizimit dhe ekipeve profesionale, po largohen depozitimet e dheut, rërës, mbeturinave dhe pengesave të tjera që pengojnë rrjedhën normale të ujit. Këto ndërhyrje realizohen në mënyrë të planifikuar dhe të koordinuar, me qëllim stabilizimin e plotë të gjendjes në terren.

Theksojmë qartë se me këto aktivitete Komuna e Kërçovës nuk rrezikon askënd dhe nuk ndërmerr veprime në dëm të asnjë qytetari. Përkundrazi, masat janë ekskluzivisht në funksion të parandalimit dhe mbrojtjes – për të shmangur përmbytje të reja në lagjet e prekura.

Gjithashtu informojmë se mbeturinat që po largohen nga lumi dhe përgjatë shtratit të tij janë tashmë të degraduara dhe nuk paraqesin rrezik për mjedisin jetësor.

Parandalimi sot do të thotë siguri nesër. Komuna vazhdon me përgjegjësi, transparencë dhe në shërbim të qytetarëve.

Back to top