Brenda ditës së sotme, në hapësirat e Komunës së Kërçovës u mbajt mbledhja e parë konstituive e përbërjes së re të Këshillit të komunës
Mbledhja filloi në përputhje me procedurat ligjore dhe u zhvillua në frymën e transparencës dhe dialogut demokratik. Në fillim, mbledhjen e hapi kryetari i deritanishëm i Këshillit, z. Skender Xhabiri, i cili shprehu mirënjohje të sinqertë për angazhimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke uruar sukses në punë dhe shumë shëndet. Më pas, rendin e ditës së mbledhjes deri në zgjedhjen e kryesuesit e udhëhoqi anëtari më i moshuar i Këshillit, z. Stevo Stefanoski, përfaqësues nga partia “LSDM”.
Në rend dite të mbledhjes ishin katër pika:
- Zgjedhja e Komisionit për verifikim, zgjedhje dhe emërime
- Verifikimi i mandateve të anëtarëve të Këshillit të Komunës së Kërçovës
- Nënshkrimi i deklaratës solemne nga këshilltarët
- Zgjedhja e kryetarit të Këshillit të Komunës së Kërçovës
Pas miratimit të rendit të ditës, u zgjodh Komisioni për verifikim, zgjedhje dhe emërime, i cili e realizoi procesin e verifikimit të mandateve të këshilltarëve të sapozgjedhur. Me këtë, u konfirmua zyrtarisht legjitimiteti i të gjithë anëtarëve të Këshillit.
Vazhdoi akti solemn i nënshkrimit të deklaratës solemne, përmes së cilës këshilltarët u zotuan se funksionin e tyre do ta ushtrojnë me ndërgjegje, përgjegjësi dhe në interes të qytetarëve të Komunës së Kërçovës.
Në pikën e fundit të rendit të ditës, Këshilli kaloi në procedurën për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të Komunës së Kërçovës. Pas zhvillimit të procedurës,me 12 vota “PËR”, u konstatua se z. Ajhan Sulkovski nga koalicioni “VLEN” është zgjedhur kryetar i Këshillit të Komunës së Kërçovës, me mandat katërvjeçar.
Kryetari i sapozgjedhur falënderoi për besimin dhe theksoi se do të punojë për avancimin e transparencës dhe bashkëpunimit ndërmjet këshilltarëve, me qëllim marrjen e vendimeve në interes të të gjithë qytetarëve të Komunës së Kërçovës.
Me këtë, zyrtarisht nisi mandati i Këshillit të ri, i cili në katër vitet e ardhshme do të krijojë dhe do të ndjekë politikat lokale të komunës, për një Kërçovë moderne dhe prosperuese për të gjithë.