Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

U mbajt mbledhja e parë e punës e Komitetit Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbeturinave (KNMM) për Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor

Sot në Manastir u mbajt mbledhja e parë e punës e Komitetit Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbeturinave (KNMM) për Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor, me ç’rast filloi faza operative dhe zbatimi i obligimeve në kuadër të sistemit rajonal për menaxhimin e mbeturinave.

Në mbledhje morën pjesë të 18 kryetarët e komunave nga të dy rajonet, ndër ta edhe kryetari i Komunës së Kërçovës, Dr. Aleksandar Jovanovski, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe partnerëve ndërkombëtarë. U shqyrtuan aktivitetet kyçe që do ta shënojnë periudhën në vijim dhe do ta orientojnë zhvillimin e mëtejshëm të sistemit rajonal.

U theksua se themelimi i KNMM-së është rezultat i punës shumëvjeçare të koordinuar të komunave, institucioneve dhe partnerëve dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi modern, efikas dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave.

Në kuadër të mbledhjes u prezantua edhe platforma e re në internet “Rajon pa mbeturina” (në proces të zhvillimit), e cila do të shërbejë si vend qendror për informim, koordinim dhe komunikim transparent me publikun, si dhe për ndjekjen e punës së KNMM-së dhe progresit të sistemit rajonal.

Aktivitetet e planifikuara për gjysmën e parë të vitit 2026 përfshijnë:

  • ndërtimin e stacioneve transferuese
  • blerjen e automjeteve dhe pajisjeve
  • hartimin e Planit të ri Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave
  • formimin e ndërmarrjes komunale rajonale
  • forcimin e komunikimit me qytetarët
  • grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave për mbeturinat
  • përcaktimin e qartë të obligimeve të komunave në proceset përkatëse

Anëtarët e Komitetit theksuan se periudha e ardhshme do të jetë vendimtare për vendosjen e bazave të qëndrueshme të një sistemi funksional, i cili do të sigurojë shërbime më të mira dhe më efikase për qytetarët, mbrojtje më të madhe të mjedisit jetësor dhe rritje të përgjegjësisë institucionale.

Me këtë mbledhje, KNMM konfirmoi rolin e tij si trup kyç për koordinim, planifikim dhe mbikëqyrje të reformave në menaxhimin e mbeturinave në të dy rajonet, me përkushtim të qartë për transparencë, bashkëpunim dhe përfshirje të publikut në proceset që pasojnë.

Puna e KNMM-së mbështetet nga projekti “Menaxhim i qëndrueshëm i mbeturinave në nivel lokal”, i financuar nga Suedia dhe i zbatuar nga SALAR International, në bashkëpunim me komunat dhe institucionet kombëtare.

Back to top