8 Prill – Dita Ndërkombëtare e Romëve
Me rastin e 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, sot para ndërtesës së Komunës së Kërçovës u vendos në mënyrë solemne flamuri rom, si simbol i respektit, barazisë dhe dinjitetit.
Për nder të kësaj dite të rëndësishme u intonuan himni maqedonas dhe himni rom, ndërsa flamuri rom do të valojë në mënyrë të barabartë me flamujt e tjerë, duke përcjellë një mesazh të qartë se të gjithë qytetarët janë pjesë e rëndësishme dhe e pandashme e komunitetit tonë.
Kryetari i Komunës theksoi se Komuna e Kërçovës mbetet e përkushtuar për avancimin e integrimit të komunitetit rom në institucione, përmes sigurimit të mundësive të barabarta për përparim, pjesëmarrje aktive dhe kontribut të plotë në jetën shoqërore. Njëkohësisht, komuna do të ndërmarrë angazhime konkrete për përmirësimin e arsimit të komunitetit rom, duke pasur parasysh se pikërisht arsimi përbën themelin e zhvillimit personal, përfshirjes sociale dhe përparimit shoqëror.
Komuniteti rom njihet për traditën e tij të pasur, kulturën, shpirtin, talentin dhe qëndrueshmërinë. Ai është pjesë e rëndësishme e bashkëjetesës sonë dhe një pasuri e vërtetë për Kërçovën. Me respekt të ndërsjellë, mbështetje dhe hapje, ne vazhdojmë të ndërtojmë një komunë ku dallimet vlerësohen, ndërsa bashkëjetesa kultivohet.
Gëzuar 8 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Romëve!